Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, nuk do ta vizitojë Beogradin javën e ardhshme, pavarësisht se pati raportime për një gjë të tillë.
Këtë ia ka konfirmuar Klan Kosovës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Sipas tij, gjatë javës në vijim Beogradin do ta vizitojë komisionari Oliver Varhelyi.
“Josep Borrell nuk do të jetë në Beograd javën e ardhshme, as në Prishtinë. Është një vizitë e Komisionerit Varhelyi, i cili do të jetë në Beograd javën e ardhshme, të cilën e paralajmëroi delegacioni ynë në Beograd, por disa media ndoshta e ngatërruan dhe filluan të raportojnë për Borrell”, ka thënë ai.
Kujtojmë se të mërkurën (23.11.2022) Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, arritën marrëveshje sa i përket çështjes së targave në veri të Kosovës.
Kosova është pajtuar që të mos e praktikojë masën për shqiptimin e gjobave ndaj vozitësve me targa ilegale të lëshuara nga institucionet e Serbisë, kurse Serbia u pajtua që të mos prodhojë më targa për serbët në veri të Kosovës.