Pas takimit të përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, një një konferencë për media, Xhaçka tha se Shqipëria e mbështet Kosovën në aspiratat për integrim euroatlantik.
Ajo tha se shqiptarët janë garanc e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
“Shqiptarët sot janë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit. Janë garanc të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe perspektives euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Është bërë shumë progres, por ka ende shumë punë për të bërë dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria dhe Kosova janë dakorduar për të punuar së bashku për mbrojtjen dhe afirmimin e interesave tona kombëtare ku një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe interesave të bashkëkombësve tanë të luginës së Preshevës. Çështja më e rëndësishme në këtë kontekst është mbështetja e dialogut Kosovë- Serbi dhe arritja eventuale të një marrëveshje të detyrueshme ligjore që sjell njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Arritja e kësaj marrëveshje është padyshim domosdoshmëri”, ka deklaruar Xhaçka.
Ministrja shqiptare tha se do të këmbëngulin për anëtarësimin e Kosovës në iniciativën e SHBA-së, Karta e Adriatikut A5.
“Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në gjithë këtë rrugëtim. Sepse për ne ky është interes kombëtar. I mbështesim aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik duke qenë proaktiv për forcimin dhe institucionalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me aleancën atlantike. E mbështesim të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për transformimin gradual të FSK-së në një forcë të armatosur. Do të vazhdojmë të këmbëngulim për anëtarësimin e Kosovës në iniciativën e SHBA-së, Karta e Adriatikut A5. Jemi po ashtu të angazhuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ajo duke shtuar se “…Shqipëria e ka Kosovën në zemër dhe e ka mendjen në çdo gjë që bën”.
Xhaçka do të pritet në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.