Një person është arrestuar këtë të martë në Gjilan, pasi dyshohet për veprat penale “Grabitje” dhe “Tentim Grabitje”.
Policia njofton se arrestimi i të dyshuarit me inicialet S.I, është bërë në momentin kur i njëjti ka tentuar që të kryejë grabitje në një lokal afarist tregtar në qytetin e Gjilanit.
“I njëjti nën kërcënim të armës fillimisht kishte arritur që nga arka e shitjes punëtorit të marketit të ja grabiste një sasi të konsiderueshme të hollash, por punëtorët tjerë prezent kanë ndërhy dhe kanë arrit që ta ndalin të dyshuarin, gjersa shumë shpejtë njësitet të shumta patrulluese policore kanë arrit në vende të ngjarjes dhe e kanë arrestuar të dyshuarin”, thuhet në komunikatën për media.
Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë e zjarrit (revole) e modelit “Browing Belgium” me katër copë fishek.
“I dyshimti është intervistuar në bazë të procedurave ligjore në prani të avokatit mbrojtës. Gjatë hetimeve në vijim janë gjetë prova të qëndrueshme se ky i dyshuar besohet se është i involvuar edhe në një rast tjetër “Grabitje “që ka ndodhë me 16.11.2022 në një pikë karburanti në rrethinën e qytetit të Gjilanit”, thuhet tutje në njoftim.