Bullgaria e mbështetë Kosovën drejt rrugës së BE-së

Bullgaria e mbështetë Kosovën drejt rrugës së BE-së

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Bullgari, me ftesë të presidentit Rumen Radev. Pas takimit kokë me kokë me homologun bullgar, krerët e dy shteteve, mbajtën një konferencë për media.

Në fjalën e tij, presidenti Radev, pasi shprehu kënaqësinë për takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, tha se Bullgaria vazhdon të mbështesë Kosovën, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

“Kemi diskutuar perspektivën evropiane për Kosovën. Ne mirëpresim angazhimin e lidershipit të Kosovës për integrime dhe vazhdimin e reformave shtetërore”, tha presidenti bullgar.

Ai deklaroi se lufta ndaj krimit e korrupsionit, janë pika kyçe për Kosovën për anëtarësim në BE.

Presidenti Radev tha se mirëpret solidarizimin e Kosovës, dhe orientimin drejt BE-së.

“Mirëpresim të gjitha angazhimet e Kosovës për procesin e dialogut dhe shpresojmë të ketë një përfundim të shpejtë”, tha ai, duke shtuar se “Bullgaria e mbështetë Kosovën për anëtarësim në strukturat evropiane”.

Kreu i shtetit bullgar deklaroi se në takim, janë diskutuar edhe çështje të tjera si lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se ushtria e Bullgarisë vazhdon me prezencë në kuadër të KFOR-it dhe NATO-s, për të ofruar siguri dhe stabilitet.

Duke folur për kontributin e Bullgarisë në rajon, presidenti Radev tha se ky shtet, për shkak të ndikimit që ka, është arritur që muajin e kaluar, të merren vendime edhe në BE, sa i përket sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në uljen e krizave në aspektin ekonimik.

“Ftojmë vendet e Ballkanit Perëndimor që të përmirësojnë angazhdimet e tyre në parimet që BE-ja i promovon”, deklaroi ai, raporton RTKlive.

Sipas presidentit bullgar, në të gjitha iniciativat tjera rajonale jashtë BE-së, Bullgaria ka kontribuar në arritjen e qëlllimeve të bazuara në parimin e fqinjësisë së mirë.

“Dëshiroj të ftoj lidershipin kosovar në procesin e dialogut dhe t’i përgëzoj për marrëveshjen e arritur me 23 nëntor, në qetësimin e tensioneve në veri të vendit dhe në aplikimin e masave për minimizimin e tensioneve”, tha ai.

Radev tha se pjesë e rëndësishme e diskutimeve me presidenten Osmani-Sadriu, ishte edhe komuniteti bullgar në Republikën e Kosovës.

“Mirëpresim angazhimin për ndërtimin e shoqërisë multi-etnike dhe t’u ndihmojmë komuniteteve jo shumicë, që të kenë mekanizmat dhe përfaqësim në fushën e politikës e ekonomisë, që ta rrisin prezencën kulturore dhe edukimin e tyre”, tha ai.

Presidenti bullgar potencoi se pikë kyçe në bisedë me homologen Osmani-Sadriu, ishte zbatimi i rekomandimit që komuniteti bullgar, të ketë të drejta të barabarta në përfaqësim në nivelin legjislativ të Kosovës.

Nga ana e saj, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu deklaroi se Kosova e konsideron partner dhe aleat të fortë Bullgarinë dhe e falendëron atë për mbështetjen e dhënë, ndër të tjera, edhe në kuadër të KFOR-it.

“Ka sfida të shumta dhe falendërojmë Bullgarinë për aleancën dhe miqësinë”, tha Osmani-Sadriu, duke shtuar se Kosova është e gatshme të thellojë këtë bashkëpunim.

Duke shpjeguar se vendi po kalon nëpër reforma të thella ekonomike edhe në mbulimin e respektimit në nivel shteti, sa më të madh të të drejtave të njeriut, presidentja rikujtoi se aktualisht ka më shumë 100 investitorë bullgarë në Kosovë.

“Kosova ka potenacial të madh për investime”, tha ajo, për të përmendur më pas, një temë tjetër diskutimi.

“Kemi biseduar edhe për mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si kjo në Këshillin e Evropës që është pikërisht për të drejtat e njeriut. Prandaj, kosovarët si pjesë e Evropës, e kanë të drejtën të jenë pjesë e saj”.

Presidentja Osmani-Sadriu rikujtoi se Kosova do ta dorëzojë këtë vit, aplikimin për antarësim në BE. “Nuk do të dorëzohemi asnjëherë në qëllimin tonë për aëntarësim”.

Ajo tha se Kosova është shtet modern e demokratik dhe aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe organizatave të tjera.

“Është shumë e rëndësishme të ecim përpara edhe në ‘Partneritetin për Paqe’ me NATO-n. Ne duam të jemi pjesë e NATO-s”, tha Osmani-Sadriu, e cila kërkoi që edhe ushtarëve të Kosovës, t’u jepet mundësia që krah ushtrisë bullgare, të kontribuojnë për paqe.

“Kemi nënshkruar rreth 30 marrëveshje me Bullgarinë dhe vazhdojmë të kërkojmë të nënshkruajmë marrëveshje të tjera, si në fushën e energjisë, sigurisë e mbrojtjës,e po ashtu e dhe në bashkëpunimin mes organizatave tona të zbatimit të ligjit”.

Ajo tha se nga vizita e saj në Sofje, ka rezultate konkrete.

“Jemi ngushtë të interesuar për krizën energjetike. Presidenti bullgar ka vendosur që menjëherë të krijojë grup ndërministerial për tejkalim të krizës energjetike”, tha Osmani-Sadriu.

Presidentja kosovare deklaroi se Kosova qëndron fuqishëm në rrugëtimin drejt BE-së dhe është shteti më pro BE e NATO.

“Këto dy organizata kanë mbështetje të madhe. Shpresoj që Bullgaria të na ndihmojë, së bashku edhe me disa shtete të tjera”.

Ajo më tej foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, proces që sipas saj, ka tejkaluar çdo afat.

“Kosova ka plotësuar para pesë vjetësh të gjitha kriteret, shumë nga të cilat nuk i janë ngarkuar asnjë shteti tjetër”, rikujtoi presidentja e Kosovës, e cila shprehu besimin që në Samitin e dhjetorit në Tiranë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, vendi të marrë mbështetje konkrete, që do të ishte mesazh i madh për kosovarët.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Osmani-Sadriu rikujtoi faktin se Kosova është në linjë me Bashkimin Evropian.

“Populli i Kosovës e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh refugjat. Kjo është luftë, jo vetëm për sovranitetin e tyre”.

Derisa foli për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, deklaroi se ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është njohja reciproke.

“Kosova është e pavarur dhe ky realitet është i pakthyeshëm. Shpallja e pavarësisë sonë është fituar nga sakrifica e madhe e popullit të Kosovës”, tha ajo.

“Duam të kemi marrëdhënie me Serbinë sikurse me vendet tjera”.

Presidentja deklaroi se Kosova e ka zgjatur dorën e bashkëpunimit, edhe pse Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet e shumta të kryera, vrasje, djegie, vrasje fëmijësh e përdhunime të grave.

“Për luftërat e Jugosllavisë të zhvilluara më parë, ashtu si sot në Ukrainë, vendosja e drejtësisë është parakusht për të ecur tutje”.

Megjithatë, ajo tha se dialog duhet të ketë për shumë çështje tjera, por kurrë për statusin e Kosovës, i cili është vendosur më 17 shkurt 2008, raporton RTKlive.

Duke u rikthyer tek çështja e pakicave, presidentja Osmani-Sadriu deklaroi se Kosova u jep shumë të drejta minoriteteve, dhe për këtë vendi është krenar .

“Të drejtat e tyre do të forcohen dhe institucionet tona për të gjithë ata që e identifikojnë vetën si bullgarë, do të njihen si të tillë, sepse është pranim i parimit themelor të lirisë’, tha ajo.

“Do të punojmë ngushtë me ju dhe pengesat legjislative që ekzistojnë, gradualisht të largohen dhe secili qytetar të ketë respektin dhe njohjen e Republikës së Kosovës”.

Ndërkohë, i pyetur për pozicionin e Bullgarisë sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, presidenti Radev deklaroi se shteti që drejton, e mbështetë plotësisht përspektivën evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

“Kjo mbështetje ka filluar me Kosovën me 2008 kur Bullgaria është nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë. Bullgaria mbështetë Kosovën, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha ai, raporton RTKlive.

Presidenti Radev deklaroi se Bullgaria po punon me partnerët që edhe më tej, në aspektin politik, nuk e kanë njohur Kosovën.

“Sa për dialogun Kosovë-Serbi, është me rëndësi që siguria e stabiliteti në rajon të ruhen. Punojmë aktivisht edhe në BE që mes dy shteteve të gjendet një kompromis dhe të arrihet marrëveshje ligjërisht e zbatueshme, që do të siguronte stabilitet”, tha ai, duke rikujtuar se edhe vetë BE-ja është e themeluar në kompromis.

Në këtë pikë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, deklaroi se është koha që lehtësuesi i dialogut, në këtë rast BE-ja, të kuptojë që Serbia ka përdorur teknikën e pengimit nëpërmjet pjesëmarrjes në dialog.

“Ata vijnë në tavolinë për të krijuar pengesa e për të zgjatur dialogun. Kjo është mënyra që ata duan ta bllokojnë perspektivën e Kosovës”, tha presidentja e shtetit kosovar.

“Është në interes tonin që ta mbyllim këtë dialog me marrëveshje ligjërisht të zbatueshme. Pala në anën tjetër nuk është e interesuar që kjo të ndodhë dhe krijon krizë pas krize, vetëm që ta prolongojë marrëveshjen”.

Ajo rikujtoi se kur në muajin gusht, BE-ja dorëzoi kornizë të përgjithshme, e në shtator kishte propozim nga BE-ja e të mbështetur nga Franca e Gjermania, Serbia ka krijuar krizë e tensione që të mos flitet për këtë marrëveshje.

“Interesi i Kosovës është tjetër, që diskutimet të fillojnë sa më parë. Marrëveshja e fundit në Bruksel, është arritur pasi kemi insistuar që deri në pjesën e parë të vitit që vjen, të kërkojmë sukses për marrëveshjen përfundimtare”, sqaroi Osmani-Sadriu.

“Shpresojmë që BE-ja me mesazhe të qarta t’i tregojë Serbisë se nuk mund të bllokojë dialogun”.

Ajo rikujtoi se Kosova ka mbi 30 arsye që të mos dëshirojë të ulet në dialog me Serbinë sepse e njëjta nuk i ka zbatuar ato marrëveshje, raporton RTKlive.

“Ata kanë punuar në krijimin e organizatave kriminale. Tani Serbia po iu dërgon armë dhe ka 48 baza ushtarake rreth Kosovës, që janë kërcënim për stabilitetin e Kosovës e rajonit”.

“Është koha që Serbia të vendos nga do të shkojë, drejt BE-së apo Moskës, sepse nuk mund të mbetësh mes dy palëve”.

Në këtë konferencë për media me homologun bullgar, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu foli edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur.

Ajo tha se Kosova respekton vendimet e secilit shtet, që nëse dëshiron, të jetë pjesë e tij.

“Por për Kosovën, derisa Serbia na kërcënon hapur me luftë, kërcënon vendet tjera me luftë si Bosnje e Hercegovinën, nuk ka hapësirë për iniciativë që të udhëhiqet nga një shtet si Serbia”, duke shtuar, se situata mund të ishte ndryshe nëse Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe të pranonte vlerat e BE-së.

“Të gjitha analizat e bëra nga ekspertët tanë ekonomik e politik, kanë thënë se kjo nuk është rruga e duhur dhe ne i kemi marrë parasyshë”.

Presidentja u shpreh se për Kosovën, iniciativa më domëthënëse rajonale tash për tash mbetet Procesi i Berlinit.

“Në këtë proces jo vetëm që janë arritur marrëveshje domëthënëse, por edhe i gjithë rajoni trajtohet në mënyrë të barabartë” deklaroi Osmani .

Related Articles