Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se është e trishtë dhe tronditëse vrasja e gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se është e pabesueshme pasi vrasja ndodhi në vendin ku do të duhej të sillej në jetë fëmija.
“I trishtë e tronditës lajmi për vrasjen makabre e një gruaje 35 vjeçare, e cila ishte në pritje të lindjes, në javën e 41-të! Kjo vrasje e dyfishtë ndodhi pikërisht në vendin ku do të duhej që fëmiu të sillej në jetë, pranë Klinikës së Gjinekologjisë! E pabesueshme! Ky krim po ndodhë vetëm pak ditë pasi një grua tjetër ra viktimë e burrit të saj, i cili i mori jetën me sëpatë”.
“Fenomeni i dhunës ndaj grave e i vrasjes së tyre ka marrë përmasa shqetësuese. Nuk është i mjaftueshëm reagimi jonë si shoqëri nëpër rrjete sociale, përderisa organet e drejtësisë nuk japin dënimet maksimale për këta burra, që dhunën ndaj gruas e shohin si të drejtën e tyre nga Zoti e vrasjen e tyre si një akt normal!”
“Është koha që t’i themi mjaft këtij fenomeni të dënimeve minimale ndaj këtyre kriminelëve, dhe të kërkojmë llogari nga institucionet e drejtësisë. Qeveria e Kosovës duhet që urgjentisht t’i fillojë procedurat për ashpërsimin e legjislacionit në fuqi, si dhe të fillojë punën bashkë me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial për t’i trajnuar gjyqtarët dhe prokurorët në trajtimin e dhunës ndaj grave, që ka filluar të bëhet normë në shoqërinë tonë!”, ka shkruar Jahjaga