Kryetarja e Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku ka thënë se është nevojë urgjente reagimi i institucioneve për vrasjen e shtatzënës 35-vjecare në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.
Në një konferencë për media, Lushaku ka kërkuar që urgjentisht të shkarkohen të gjithë personat përgjegjës që kanë dështuar të ofrojnë siguri për shtatzënën e cila mbeti e vrarë në prag të lindjes së foshnjës së saj.
Ajo ka thënë se krimet monstruoze si ky, shpërfaqin dështimin e shumë hallkave përgjegjëse të shtetit për të siguruar jetën e grave në Kosovë.
“Krimet monstruoze si ky, shpërfaqin dështimin e shumë hallkave përgjegjëse të shtetit për të siguruar jetën e grave në Kosovë dhe të Hamides në këtë rast. Dhe kjo nuk po ndodhë për herë të parë. Hamidja ka kërkuar ndihmën e shtetit, dhe shteti ka dështuar që t’ia ofrojë atë. Ajo shkoi në spital për të sjellë jetë, kurse në spitalin publik, për sigurinë e së cilës është shteti përgjegjës, ajo humbi jetën e saj”, tha ajo.
Lushaku theksoi se për këtë rast ka dështuar Ministria e Punëve të Brendshme, policia e Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe i gjithë sistemi i drejtësisë. Ajo theksoi se kjo situatë përveç se është alarmante, është edhe urgjencë kombëtare.
“Kjo situatë përveç se është alarmante, është edhe urgjencë kombëtare. Si Lidhje Demokratike e Kosovës, kërkojmë urgjentisht që Qeveria e Kosovës t’i shkarkojë të gjithë personat përgjegjës-bashkëfajtorë që nuk kanë ofruar mbrojtjen e kësaj viktime. Qeveria të sigurojë pajisjet elektronike urgjentisht për monitorimin e personave të ndaluar e atyre që u kufizohet me urdhër mbrojtje. Sistemi i drejtësisë të veprojë urgjentisht për trajtimin me prioritet të të gjitha lëndëve që trajtojnë dhunën ndaj grave në Kosovë”, theksoi ajo.
I dyshuari për vrasjen është Sokol Halili, me të cilën viktima ishte në proces të ndarjes.
Halili ende nuk është arrestuar, ndërsa vetura, të cilën dyshohet se e përdori për t’u larguar nga vendngjarja, është gjetur në qytetin e Shtimes.