Policia e Kosovës njoftoi sot se ka arrestuar serbin G. M. (1958), si i dyshuar për krime lufte në burgun e Dubravës më 1999.
Ndaj këtij njoftimi ka reaguar zyra për Kosovën në Serbi, e cila dha detaje tjera për rastin.
Sipas njoftimit, thuhet si i dyshuari është arrestuar dje në komunën e Istogut, kur ka shkuar, gjithnjë sipas njoftimit, për të denoncuar pronën e uzurpuar.
Gjegjësisht, siç thuhet nga kjo zyrë, bëhet fjalë për një pensionist, i cili si person i zhvendosur jeton në rrethinën e Beogradit dhe i cili “disa herë ka shkuar pa probleme në Kosovë”.
Kjo zyrë njofton po ashtu se të dyshuarit i ka caktuar një avokat, i cili do ta vizitojë sot në paraburgim në Prishtinë.
Më tej, kjo zyrë ka hedhur poshtë dyshimet e hetuesisë së Kosovës për të arrestuarin, duke thënë se këto janë “aktakuza të rreme” kundër serbëve të Kosovës.