Vetëm një ditë pas emërimit në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike Progresive, flet në intervistë ekskluzive për RTK.
Në këtë deklarim, Rashiq komenton akuzën skandaloze të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka bërë në adresë të tij, duke e quajtur “llum”, kurse kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si “terrorist”.
Por, këtyre deklarimeve dhe të tjerave të thëna nga kreu i shtetit serb, duke e quajtur edhe politikanen Rada Trajkoviq, e emëruar si këshilltare politike e kryeministrit Kurti, si “llumin e llumit”, ministri Rashiq ka përgjigje.
Madje pas këtyre emërimeve, në shenjë proteste, Vuçiq ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në samitin BE-Ballkan Perëndimor që mbahet me 6 dhjetor në Tiranë.
Rashiq i është përgjigjur edhe Listës Serbe, parti kjo e dirigjuar nga Vuçiq, e cila ka deklaruar se emërimin e tij si ministër, do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Njëkohësisht, ai jep qëndrimin edhe mbi deklarimin e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili është shprehur se emërimi i Rashiqit si ministër, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.