Flamujt e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk janë lejuar të futen në stadiumin “974” në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë në Kupën e Botës “Katari 2022”.
Fidan Dalipi, pjesë e stafit të KOHËS, që është në Katar, ka thënë se në hyrje të stadiumit janë ndaluar edhe flamujt provokues nga tifozë të Serbisë.
Flamujt shtetërorë e kombëtarë ishin lejuar në ndeshjet tjera.
Zvicra e Serbia përballen me fillim prej orës 20:00 në kuadër të ndeshjes së fundit të Grupit G.
Dy përfaqësueset kanë histori tensionesh pas fitores së Zvicrës në Botërorin e 2018-s dhe festës së golave me shqiponjë nga dy golashënuesit shqiptarë, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.