Zëvendëskryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku, ka thënë se komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut është i kërcënuar për zgjedhjet komunale që pritet të mbahen në katër komunat veriore.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se edhe kryetari i Iniciativës “Srpski Opstanak”, Aleksandër Arsenijeviq e ka pohuar një gjë të tillë.
“Nuk e di se çfarë sjellë e nesërmja, mirëpo me bindje të plotë e them nuk jemi të relaksuar edhe ne që do të dalim në zgjedhje. Kam pasur biseda intensive edhe me kolegun Arsenijeviq deri në ditën kur ka vendosur që të tërhiqet edhe atë ditë kemi qenë bashkë dhe kemi biseduar. I kam thënë e ke shpëtuar nderin e qytetarëve – po flas prej prizmit qytetar dhe jo prej prizmit etnik”.
“Kjo për faktin se na ke lënë një garë – nuk është garë që në zgjedhje të lihet vetëm një komunitet. Edhe nëse mbahen zgjedhjet, nuk do ta pasqyrojmë realisht realitetin që është në Mitrovicën veriore”.
Sipas tij, iniciativa qytetare do ta kryejë detyrën e saj, do ta çojë mesazhin dhe do të kërkojë që të dalin njerëzit dhe të votojnë.
“Për komunitetin serb, të jeni të bindur se janë të kërcënuar. Aleksandër Arsenijeviq gjatë tërheqjes së tij më ka thënë se ‘këtë ditë as unë vetë nuk do të guxoj të dal dhe të votoj’ dhe për çfarë demokracie po flasim ne këtu”.