31-vjeçari Gerti Shehu, i cili sulmoi kreun e PD-së, Sali Berisha mesditën e sotme, aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës për të marrë mjekim.
Mësohet se i riu ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë.
Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi.
Shehu goditi me grusht kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë.
Gjatë goditjes Berisha u gjakos. Agresori u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së.
Menjëherë ndërhyri policia, e cila shoqëroi agresorin. Sipas mjekëve 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.