Njohësi i fushës së Sigurisë, Bedri Elezi ka thënë se qëllimi i sulmeve të sotme në veri të vendit është mos lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve .
Ai tha në Tëvë1 se shpërthimet në veri të vendit janë paralajmërime të zhvillimeve që sipas tij, mund të vijnë në të ardhmen.
Teksa theksoi se ka dyshime të bazuara që mund të ketë edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët kan lëshuar Policinë në mënyrë demonstrative.
“Këto shpërthime janë paralajmërime të zhvillimeve që mund të vijnë në të ardhmen në momentin kur institucionet tona tentojnë ta zbatojnë ligjin sikur që është mbajtja e zgjedhjeve. Unë kujtoj që tanimë këto janë vetëm manifestim i dhunës që asaj që është paralajmëruar më herët. Dyshimet janë të bazuara se këta mund të jenë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës sepse në mënyrë demonstrative ata lëshuan Policinë e Kosovës dhe thanë që tanimë ata do të jenë të rreshtuara në krahun tjetër “, tha ai.
Tutje Elezi tha se strukturat ilegale në veri të vendit janë të organizuara dhe të mbështetura nga shërbime sekrete serbe dhe ruse.
“Strukturat kriminale në veri të vendit janë përforcuar edhe me persona apo zyrtarë policor që neve i kemi trajnuar. Kemi angazhim të strukturave serbe që po tentojnë të mos lejojnë zbatimin e zgjedhjeve me çka edhe po tentojnë të tregojnë që ajo zonë është e kontrolluar nga ta dhe jo nga institucionet tona të sigurisë. Fakti që neve i kemi disa shpërthime nënkupton që kemi të bëjme me struktura mirë të organizuara dhe të mbështetura nga shërbimë sekrete siç kemi thënë edhe në të kaluarën, shërbimet inteligjente të Serbisë BIA dhe ushtarake si dhe shërbime inteligjente ruse sidomos ato të GRU- së”, shtoi ai.