Me ekspozitë në sheshin e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, në njëvjetorin e marrjes së detyrës si kryetar i Komunës së Prishtinës.
Pos billboardeve të shfaqur, partia në opozitë ka lëshuar në shesh “zhurmën e Prishtinës”, me të cilën ironizohen testimet e rrugëve njëkahëshe që bllokuan Prishtinën dhe mosefikasiteti në heqjen e problemit të qenve endacakë.
“Qentë i arrestojmë, bërllok pa kufij, ekspertët e kryetarit”, qenë disa nga titujt e pankartave.
Vetëm shtatë nga 206 premtime të fushatës zgjedhore të Përparim Ramës janë realizuar në vitin e parë të qeverisjes së tij në Prishtinë. 149 premtime nuk kanë filluar ende.
Qeverisja e Ramës është përfshirë në lidhjen e një kontrate kontraverze me Dukagjin Lipën, babain e këngëtares Dua Lipa.
Është kritikuar edhe për politizimin e ndërmarrjeve publike.