Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka theksuar se niveli qendror po vazhdon tendencën e ndërhyrjeve në nivelin lokal.
Lladrovci ka deklaruar se “pamundësia e komunave që t’i shfrytëzojnë të hyrat vetanake, është tendencë e plotë e cenimit të kompetencave të komunës për themelimin dhe menaxhimin e një sistemi autonom të të hyrave publike”.
Postimi i plotë:
Niveli qendror po vazhdon tendencën e ndërhyrjeve në nivelin lokal
Projektligji mbi ndarjen buxhetore për vitin 2023, është njëri nga veprimet e radhës përmes të cilit kjo Qeveri shpërfaqë tendencën për cenimin e autonomisë së pushtetit lokal.
Të hyrat vetanake të komunave, janë kategori kushtetuese, ngase si të tilla i përcakton Kushtetuta jonë, në nenin 124, paragrafi 5, i cili ndër të tjera thotë: “Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta…”.
Çfarëdo tendence për t’ua pamundësuar komunave shfrytëzimin e të hyrave vetanake, është ndërhyrje direkte në autonominë e komunave, autonomi e cila ju garantohet me Kushtetutë, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i bazuar në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
Për më tepër, pamundësia e komunave që t’i shfrytëzojnë të hyrat vetanake, është tendencë e plotë e cenimit të kompetencave të komunës për themelimin dhe menaxhimin e një sistemi autonom të të hyrave publike.
Kjo ndërhyrje kundërkushtetuese e Qeverisë, është cenim i ushtrimit të pushtetit lokal dhe rrjedhimisht pamundësi e jetësimit të tij, ngase realizimin i punëve dhe përgjegjësive komunale lidhet ngushtë me një sistem të pavarur të të hyrave publike komunale, aq më tepër, kur mbështetja nga niveli qendror, është minimal në raport me nevojat që kanë qytetarët tanë.
Kjo tendencë e Qeverisë e bën të domosdoshëm reagimin për t’i thënë stop kësaj qasjeje, kësaj mendësie, po ashtu reagimin tonë ndaj Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2023 (nëse kalon si i tillë) e bën atë anti-kushtetues.