Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën ka thënë se Serbia pritet t’ia parashtrojë një kërkesë KFOR-it, për rikthimin e forcave të sigurisë në Kosovë.
Një gjë të tillë, presidenti serb pritet ta bëjë pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë të enjten.
Me këtë paralajmërim, ai pretendon se iu përgjigj “pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit”.
Beogradi zyrtar qysh më 8 dhjetor paralajmëroi “shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara”.
Por çfarë thuhet në Rezolutën 1244, në bazë të së cilës Serbia paralajmëron kërkesën për dërgimin e trupave në Kosovë?
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake.
Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Siç shkruan REL, neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.