Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se ka një afat për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe se ato do të hiqen nga ata që i kanë vendosur.
Ai nuk ka dashur të flasë në detaje për këtë afat, por ka theksuar se barrikadat janë vendosur në mënyrë që Serbia të forcojë pozicionin e saj në negociata për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën.
Rashiq pret që heqja e barrikadave të bëhet përmes një marrëveshjeje politike.
“Nuk do të hyj në atë se kush dhe si i organizoi barrikadat, edhe pse të gjithë e dimë këtë. Nuk ka nevojë të përsëritet, por zgjidhja më e drejtë është ta bëjmë politikisht, pra me marrëveshje. Meqë ra fjala, mendoj se barrikadat janë ngritur që pozita negociuese në këtë rast e Beogradit të jetë më e mirë ose më e fortë. Edhe pse ka pasur spekulime për këtë, ende ekziston një afat për atë që disa e quajnë marrëveshje përfundimtare, por unë besoj se kjo do të jetë një nga marrëveshjet përfundimtare sepse marrëveshjet janë gjithmonë një proces dhe gjithashtu zbatimi i marrëveshjes është një proces i gjatë. Në këtë rast, në këtë kontekst politik, Beogradi ngriti çmimin duke ngritur barrikada”, thotë Rashiq.
Ai pret që propozimi franko-gjerman të jetë baza e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën opinioni, por edhe ai vetë, di pak.
“Të jem i sinqertë, është shumë e vështirë që ajo të gjendet, që do të thotë se këta negociatorë ndërkombëtarë janë shumë seriozë këtë herë për zgjidhjen e “mosmarrëveshjeve tona”, sepse për të qenë realist, ata ndoshta janë lodhur nga ajo se sa të komplikuar mund të jemi. Dhe kështu u ngrit çmimi i barrikadave, dhe kjo është për shkak të pozicionit negociator dhe se vetë njerëzit që i ngritën barrikadat edhe do t’i largojnë ato”.
Ai thotë se nuk do të donte që barrikadat të hiqen me dhunë.
“Kushdo qoftë, edhe KFOR-i në të cilin ne njerëzit kemi shumë besim. Por të mos harrojmë se këta janë ushtarë. Nëse vjen urdhri, sigurisht që me dhunë do t’i heqin ato barrikada”, thotë Rashiq.
Ai shton se ka një afat për heqjen e barrikadave, por për këtë afat nuk ka dashur të flasë në detaje.
“Por po, ka një afat deri në të cilin ata që vendosin barrikadat duhet t’i largojnë ato”, ka thënë Rashiq