Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës të enjten, ka thënë se ideja e ndryshimit të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë, duke ju kundërpërgjigjur kritikave të opozitës se Kosova nuk ka politikë të jashtme.
Osmani ka theksuar se politika e jashtme e Kosovës është në funksion të potë të prosperitetit të rajonit e më tej, duke bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtarë.
“Kosova nuk ka politikë të jashtme po thonë ca zëra. Natyrisht që ka. Në fakt, më në fund Kosova ka politikë jashtme. Por po ju tregoj çfarë nuk ka Kosova tani. Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për promovuar lider të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë dhe Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që e krahasojnë Kosovën me Nagorno-Karabkhun e Krimenë. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar një herë e përgjithmonë. Sfidat janë të panumërta në politikën e jashtme, sepse gabimet kanë qenë të mëdha në të kaluarën. Së bashku po ndërtojmë një Kosovë partnere me komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Osmani para deputetëve, seancës e së cilës po e bojkotojnë PDK-ja e AAK-ja.