Ish-Kryeprokurori i Prokurorisë së Specializuar, David Schwendiman e ka lavdëruar pasardhësin e tij në krye të prokurorisë në Hagë, Jack Smith, për punën dhe vendimet e marra në ndjekjen penale të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Muajin e kaluar, Jack Smith u largua nga funksioni i Kryeprokurorit të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, për të marrë në duar dy hetime penale ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Në një deklarim për gazetën amerikane The Salt Lake Tribune, Schwendiman e ka lavdëruar punën e Jack Smith si zëvendësues i tij në Prokurorinë e Specializuar. Ka përmendur ngritjen e aktakuzës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Këtë vendim për ndjekjen penale të Thaçit, ai e ka cilësuar historik.
“Siç bëri në Hagë, Jack, jam i sigurt, se tani për tani ndodhet në punë duke u zhytur në detajet e hetimeve që po vazhdojnë e të cilat ai i ka marrë përsipër si këshilltar special. Ashtu siç bëri në Hagë, ai po administron provat që janë mbledhur. Ai është i dëgjueshëm dhe mëson. Ashtu siç bëri në Hagë, ai do të udhëheqë me profesionalizëm pjesën tjetër të hetimit. Ai do të bëjë gjithçka që duhet për ta vënë veten në pozitë që të marrë vendimet e duhura si prokuror, përfshirë vendimin historik për ndjekjen penale të një ish-presidenti, ashtu siç bëri në rastin e presidentit të Kosovës”, tha Schwendiman.
Schwendiman tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ballafaqohej me presion “të jashtëzakonshëm” për të arritur rezultate.
“Përpara se të zgjidhej për të më zëvendësuar, unë e njihja dhe respektoja reputacionin e Jack. Puna që po largohesha kishte nevojë për një person që mund të vazhdonte t’i rezistonte presionit të jashtëzakonshëm që kishte zyra e prokurorisë për të bërë diçka dhe për ta bërë atë shpejt. Kishte nevojë për dikë që do të vepronte në mënyrë të pavarur. U gëzova kur Jack u zgjodh për të më zëvendësuar mua”, tha Schwendiman
David Schwendiman tash për tash punon si profesor i drejtësisë në Universitetin e Utah në ShBA.
Schwendiman udhëhoqi Zyrën e Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale për krime lufte nga viti 2015 deri më 2018.