Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty.
Kështu është njoftuar përmes një komunikate për media, ku është shtuar se, Kurti ka shprehur falënderimin e tij për ndihmën e mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për çlirimin, shtetndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e Kosovës.
Pos tjerash, Kurti ka njoftuar ministrin Docherty për zhvillimet e fundit, ku ka veçuar dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti pret në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Docherty
Prishtinë, 16 dhjetor 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i cili po qëndron në Kosovës në një vizitë zyrtare.
Duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për ndihmën e mbështetjen e hershme dhe të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për çlirimin, shtetndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e Kosovës. Në këtë mes, u theksua përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunimi i mirë në fushën e sigurisë.
Ndër të tjerash, kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Docherty me zhvillimet e fundit, ku veçoi dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dje në Pragë, të arriturat e qeverisë, reformat e deritanishme dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë të vendit.
Në takim, kryeministri Kurti u shoqërua nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ndërkaq ministri Docherty u shoqërua nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe udhëheqësja e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Madeline Knox.