Avokati Tomë Gashi thotë se nuk përjashtohet mundësia që ish-komandantët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, të dënohen me burgim të përjetshëm, pasi Gjykata Speciale e ka këtë të drejtë.
Gashi nënvizoi se dënimi me 26 vite burg i ish-komandatit të UÇK-së, Salih Mustafa, nuk është një sinjal i mirë.
“Zoti Thaçi dhe të tjerët, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, pritet që të dalin në gjykim në seancën e parë gjyqësore, diku në marsin apo prillin e vitit 2023. Mendojmë që tani është faktikisht, foksusi i përgatitjes së mbrojtjes së tyre në maksimum, të avokatëve të tyre së bashku me ta.
Mendoj që nuk është një sinjal i mirë që Mustafa është dënuar.
Nuk është një ndjenjë e mirë, sepse ata janë bashkarisht në Gjykatën Speciale, për zotin Thaçi, por edhe të tjerët që presin që gjykimi të fillojë në mars apo prill të vitit të ardhshëm.
“Ne fatkeqësisht i kemi dhënë të drejtën Gjykatës Speciale që dikë mund ta dënojë edhe me burgim të përjetshëm. Dënimet e përjetshme janë të parashikuara”, theksoi ai.
Mustafa është dënuar të premten nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.