Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinoci, i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili mes tjerash, sot tha se kryeministri Albin Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë, pas situatës së krijuar në pjesën veriore të Kosovës.
“Kryetari i LDK-së edhe sot u mundua të thotë diçka që dukej më shumë si reagim për të ‘mbushur ditën’ e opozitës se sa që vërtetë është lodhur për të analizuar situatën në veri”, shkroi Bajqinovci në Facebook.
Sipas tij, deputeti Abdixhiku po konfirmon se gjendja e mëparshme në veri, “ku të gjithë punonjësit në institucionet e drejtësisë, policisë dhe administratës, ishin dora e zgjatur e shtetit të Kosovës e dizajnuar nga marrëveshjet e Brukselit, ndërkohë që, e vërteta është se ata ishin dorë e zgjatur e shtetit të Serbisë, parasegjithash”.
Mes tjerash, Bajqinovci u shpreh se me këtë “Abdixhiku konfirmon tifozërinë e tij pro politikave të vjetra, implementues i të cilave në LDK, ishte tutori i tij politik, kryetari i nderit i LDK-së, Isa Mustafa”.
“Plan për veriun është veç Kushtetuta e ligji, implementues janë veç policët lojal ndaj Republikës, koordinimi me aleatët është i vazhdueshëm e i dobishëm, të dëshpëruar janë veç kriminelët në veri e në Serbi. E vërteta është shumë më ndryshe nga çfarë e paraqet Abdixhiku. Më shumë kreativitet e përmbajtje. Dobët, shumë dobët”, përfundoi ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën tha se “Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty”.
“Albin Kurti tashmë ka rënë në kurthin e Serbisë. Ai s’mund as të krijojë stabilitet e as të ushtrojë sovranitet në veri. Ai sot nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.