Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në një intervistë për emisionin “Info Plus” në RTK tha se gjendja në veriun e vendit nuk është e mirë për shkak që qytetarëve të asaj pjese po u mohohet e drejta e qarkullimit të lirë.
Deputeti i Vetëvendosjes tha se grupe të caktuara të strukturave kriminale, të shndërruara në banda kriminale të drejtuara nga Serbia, po bëjnë çmos që ato barrikada t’i paraqesin si pakënaqësi e qytetarëve, por kjo, tha ai, u pa që nuk është e vërtetë.
Ai tha vazhdimi i barrikadave në atë pjesë të territorit është sinjal i keq dhe inkurajim i grupeve që po terrorizojnë qytetarët.
“Të gjithë po e dimë, edhe KFOR-i edhe ne, dhe është momenti të hiqen e të ndërhyhet në largimin e tyre sepse vazhdimi edhe më tej i këtyre bllokadave është sinjal i keq dhe është njëlloj inkurajimi i këtyre grupeve që të vazhdojnë me terrorizim të qytetarëve. Me bllokimin e këtyre rrugëve ata po duan të thonë se ne jemi këtej e nuk lëvizim”, tha Dugolli.
Ai nuk beson se kjo gjë do të vazhdojë të tolerohet.
“Jemi në pritje në bashkëpunim e komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, institucionet e sigurisë dhe besoj që shumë shpejtë do të ketë lëvizje në këtë drejtim e barrikadat do të hiqen përfundimisht”, tha ai.
Deputeti i LVV-së, tha se institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës ka kapacitete e mundësi që këto barrikada të largohen shumë shpejtë, e situata të kthehet në normalitet.
“Ne u kemi dhënë mundësi dhe njëfarë afati që edhe KFOR-i e ka kërkuar që të mos shkohet me masa drastike të largimit me dhunë të këtyre barrikadave që të mos krijohet ndonjë alibi për gjoja ndonjë ekses të mundshëm. Dhe ne e kemi pranuar një sugjerim të tillë sepse duam të dëshmojmë e tregojmë që nuk janë institucionet e Kosovës, nuk është Policia e Kosovës ato që po shkaktojnë dhunë, por janë bandat”, tha ai.
Ai pret që të gjithë ata që kanë kryer sulme ndaj institucioneve, ndaj policisë e gazetarëve do të hetohen e do të ketë ndjekje penale për secilin prej tyre.