Policia e Kosovës bën të ditur se është duke e hetuar rastin e sulmit ndaj ekipit të Klan Kosovës gjatë ditës së djeshme në fshatin Zupq të Zubin Potokut.
Ekipi i përbërë nga gazetari Haris Ademi, kameramani Agon Bejtullahu dhe vozitësi Elsad Sinani, janë sulmuar me gurë afër barrikadës nga persona të maskuar që kanë qenë aty.
“Raportohet se dy viktimat meshkuj kosovarë, gazetarë, përderisa kanë qenë duke raportuar në fshatin Zupq, Zubin Potok, janë sulmuar me gurë nga disa të dyshuar të cilët kanë qenë të maskuar. Viktimat me veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për shkak të shqetësimit viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet nga Policia e Kosovës”, thuhet në raportin e policisë