Prokuroria kërkon dënimin e biznesmenit Sallahu

Prokuroria kërkon dënimin e biznesmenit Sallahu

Në seancën e rigjykimit në Gjykatën Themelore në Gjilan, të martën, prokurori Isuf Sadiku ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Naim Sallahu, i akuzuar për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurorim publik. Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Idriz Syla tha se nuk ekzistojnë elemente të veprës penale.

Prokurori Sadiku, në fjalën përfundimtare deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë më 14 shkurt 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti i kërkoi gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë konform dispozitave të parapara dhe të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuari Sallahu, avokati Idriz Syla në fjalën përfundimtare deklaroi se konsideron që nuk ekzistojnë elemente të veprës penale për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Syla tha se sipas nenit 415, konsideron që i mbrojturi i tij nëse i referohemi këtij neni nuk është kryerës i veprës penale.

Kurse, fjalën përfundimtare të mbrotësit të tij, e mbështeti edhe i akuzuari Sallahu.

Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Fadil Abazi, zyrtar në Komunën e Vitisë, i cili deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së tij të dhënë më parë.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, Sabedin Mushica, dëshmitari Abazi tha se me të akuzuarin ka kontaktuar në mënyrë zyrtare.

“Mënyra se si unë kam kontaktuar me Naimin ka qenë në formë të shkruar krejtësisht zyrtare”, tha Abazi, duke theksuar se deklarata nën betim është baza dhe vetë pjesa e dosjes.

I pyetur nga i akuzuari Sallahu, dëshmitari tha se sipas ligjit të prokuroimit, autoriteti kontraktues sipas nenit 72 të LPP-së, mund të kërkojë sqarime aty ku konsiderohet e nevojshme.

“Por, në këtë rast autoriteti kontraktues e ka konsideruar të panevojshme kërkesën për sqarim të dosjes, sepse e kemi disponuar dhe të nënshkruar nga operatori ekonomik, gjithashtu edhe nga personi i autorizuar. Ndërsa, në anën tjetër kemi disponuar një vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Prishtinës se operatori në fjalë ka qenë i dënuar për vepër penale, që do të thotë se sipas kësaj del se operatori ekonomik është i papërgjegjshëm”, tha ai.

Dëshmitari tutje tha se pas vlerësimit të ofertave, përmes letrave të standardeve i njofton të gjithë operatorët me rezultatet e tenderit e njëkohësisht merr njoftim për secilin veç e veç mbi arsye me eleminimin ose shpërblimin me kontratë.

“Për këtë arsye, operatori ekonomik e ka pranuar këtë vepër dhe ka heshtur”, tha Abazi.

Duke u përgjigje në pyejte të të akuzuarit, dëshmitari Abazi tha se pyetja është sugjestive dhe ka tendencë për të nxjerrë përgjigje në favor të Sallahut, e sipas nenit 65 operatori duhet të jetë i pastër dhe mos të jetë i dënuar.

Ndërsa, theksoi se në këtë rast Sallahu me plotë vetëdije ka nënshkruar duke e ditur se është i dënuar.

Pas tij, u dëgjua dëshmitari Shyqyri Hyseni, zyrtar policor dhe hetues në Policinë e Kosovës, NJHRKEK në Gjilan, i cili gjithashtu tha se mbetet pranë asaj që kishte deklaruar në gjykatë më 14 shkurt 2022.

Më pas, i akuzuari Sallahu dhe mbrojtësi i tij Syla, dorëzuan disa prova materiale, të cilat kishin të bënin me një interpretim dhe një raport vlerësues, i cili ishte i nënshkruar nga komisioni dhe nga vetë Fadil Abazi në pajtim me nenin 65, një ankesë lidhur me operatorin ekonomik drejtuar OSHP-së më 1 qershor 2021 dhe një kërkesë për rishqyrtim të Kuvendit, të 25 majit 2021.

Lidhur me këto prova, prokurori Sadiku tha se të njëjta nuk i ka në posedim dhe se i duhet t’i analizojë, andaj kërkoi nga një kopje nga secili dokument si dhe gjysmë ore pauzë për analizimin e tyre.

Më pas, prokurori tha se provave të propozuara nuk iu dihet fare prejardhja, respektivisht burimi i tyre dhe se të njëjtat nuk kanë asnjë rëndësi, duke theksuar se sipas kërkesës së Apelit, kontestuese është nëse i akuzuari e kishte për obligim të deklarojë se ka qenë i dënuar te deklarata nën betim dhe se provat e paraqitura nuk kanë asnjë rëndësi në këtë hetim penal.

Por, propozimi i avokatit Syla që këto prova të administrohen, u aprovua nga trupi gjykues.

Kurse, gjatë marrjes së të akuzuarit Sallahu në pyetje, i njëjti sërish u deklarua i pafajshëm.

“Unë kam marrë pjesë edhe më herët në tenderë tjerë edhe pse kam qenë i dënuar nga gjykata edhe pas shpalljes së aktgjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë,dhe kam fituar tenderë dhe nuk e kam prezentuar këtë aktgjykim dënues, sepse i njëjti nuk kërkohet”, tha i akuzuari duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Isuf Sadiku.

Në këto rrethana, shpallja e aktgjykimit u caktua për 21 dhjetor 2022.

Më 18 shkurt 2022, Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Naim Sallahu, ish-pronar i operatorit ekonomik “Sallahu”,  i cili akuzohej se nuk e paraqiti aktgjykimin dënues gjatë aplikimit për tender.

Ndërsa, më 12 shtator 2022, në Gjykatën e Apelit u shqyrtua ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal.

Kurse, Apeli më pas e ktheu këtë rast në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës i pandehuri Naim Sallahu në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik “Sallahu” SHPK, më seli në fshatin Biçec në Kaçanik, me vetëdije i ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik.

Në aktakuzë thuhet se gjatë aktivitetit të prokurimit publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, ndërtimi i rrugës Viti-Kërbiq-Kaçanik, “Deklaratë nën Betim” ka aplikuar duke ndërmarrë veprim të kundërligjshëm, më qëllim të ndikojë në vendimin e prokurimit publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që nuk ka paraqitur para autoritetit kontaktues aktgjykim dënues nga Gjykata Themelore në Prishtinë ku e ka pasur obligim sipas Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë.

Me këtë, akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik”, sipas nenit 415, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vite.

Tenderi për të cilin kishte ofertuar kompania “Sallahu” SHPK, ishte parashikuar të vlente rreth 2 milionë euro.

Related Articles