Aktivitetet e Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë do të fillojnë me kapacitete të plota nga e mërkura e kësaj jave, ka vendosur Këshilli Prokurorial i Kosovës të martën.
Vendimi është nxjerrë në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“KPK gjatë këtij takim ka marrë vendim për shfuqizimin e Vendimit të datës 21 tetor 2022, për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe nga nesër e mërkurë, 21 dhjetor 2022, puna në këto dy prokurori do të fillojë me kapacitete të plota”, ka njoftuar KPK-ja.
Një vendim tjetër i KPK-së, ndërlidhet me avancimin e një prokurori në Prizren, sipas kërkesës së Prokurorisë së Prizrenit.
“Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për avancimin e përhershëm të një prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda, me ç’rast, Këshilli ka marrë vendim për shpalljen e brendshme sipas kërkesës së lartcekur”, ka bërë të ditur Këshilli.
Në fund të komunikatës, Këshilli ka thënë se ka miratuar pjesërisht raportin për vlerësimin e performancës së shtatë prokurorëve me mandat të përhershëm, “duke miratuar kështu edhe një kundërshtim të paraqitur kundër këtij raporti”.