Sekretarja gjermane në Kosovë, ja se për çfarë diskutuan me Kurtin

Sekretarja gjermane në Kosovë, ja se për çfarë diskutuan me Kurtin

Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim Siemtje Möller, Sekretare e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, e cila shërben edhe si zëvendësministre e Mbrojtjes.

Fillimisht,  Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Duke e falënderuar për kontributin e Gjermanisë në KFOR, kryeministri theksoi rolin dhe rëndësinë që ka KFOR-i në Kosovë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim u bisedua për mbështetjen lidhur me qëllimin e Republikës së Kosovës për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.

Kurti po ashtu vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ritheksoi rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Europian.

“Sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. U theksua se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gjermanisë, si dhe i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.

Related Articles