Një plagë e hapur për shumë familje kosovare, vazhdon të mbetet fati i të pagjeturve. Megjithëse është konsideruar si urgjente, deklarata për të pagjeturit vështirë se do të nënshkruhet në janar.
Drafti i kësaj marrëveshjeje ka ngecur pasi pala serbe nuk është pajtuar me disa kërkesa që ka Kosova.
Bajram Qerkini, një nga familjarët e shumtë që nuk di për fatin e djalit të tij të zhdukur, nuk ka shpresë se ky janar do të jetë më i butë.
“Procesi I personave të pagjetur është ngri për shkak se nuk e kanë gjetë një gjuhë të përbashkët athu do të ketë marrëveshje unë nuk besoj”, tha Qerkini nga Qendra Burimore për të pagjeturit.
Andin Hoti, kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, thotë se pavarësisht përpjekjeve që të harmonizohet ky dokument, pala serbe nuk është e gatshme për bashkëpunim.
“Pala serbe prej fillimit nuk ka pranu të bashkëpunoj dhe ne nuk jemi dakordu për termin që është personat e zhdukur me forcë për shkak se pala serbe hezitojke me pranu një term të tillë. Ne kemi kërkuar që familjet e personave të zhdukur të jenë të trajtuar përmes ligjeve ndërkombëtare”, tha Hoti.
Marrë parasysh përvojat, Hoti thotë se nuk beson se mund të ndodhë ndryshe as në janar të vitit që vjen ndërsa për këtë draft dokument pritet të diskutohet edhe në komisionin parlamentar për persona të pagjetur.
“Gjithqysh duhet të vij në kuvend sepse nuk është punë vetëm e qeverisë por duhet të kaloj edhe në kuvend dhe ne do të diskutojmë edhe për këtë”, thotë Duda Balje, kryetare e Komisionit parlamentar për persona të pagjetur.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte shprehur pritjet se dokumenti për të pagjeturit mund të nënshkruhet që në takimin e parë të krerëve të të dyja vendeve.
Besnik Bislimi ka thënë se pritjet janë që dokumenti të nënshkruhet në takimin e parë mes krerëve të shtetit që mbahet në janar./Rtk