Krasniqi: Publikimi i ASHAK-ut është pamflet anti-shqiptar

Krasniqi: Publikimi i ASHAK-ut është pamflet anti-shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj publikimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), e cila, sipas kësaj partie, nëpërmjet një shkrimi pa autor, por të shpërndarë nga kryetari i saj Mehmet Kraja, ka shfaqur urrejtje ndërshqiptare dhe sipas PDK-së, tingëllon më shumë si një memorandum anti-shqiptar.

“Në vend që ASHAK të merrej me temat që rëndojnë qytetarët e Republikës së Kosovës tash e sa kohë dhe të angazhohej për të mbrojtur e shtyrë përpara interesat tona kombëtare, duke ndriçuar dhe argumentuar përpjekjet serbe për të rishkruar historinë dhe për të barazuar xhelatin me viktimën, në këtë tekst ne shohim krejt të kundërtën”.

“Me këtë sulm të ulët nga teksti i dalë prej këtij institucioni, të paguar nga taksapaguesit e Kosovës, konfirmohen e noterizohen tezat serbe, duke sulmuar drejtpërdrejtë lidershipin e UÇK-së, si dhe duke ushqyer albanofobinë kundrejt kosovocentrizmit ekstremist, por edhe retorikën neo-kolonialiste kundër aleatëve perëndimorë”, thuhet në reagimin e Krasniqit në Facebook.

“Qëndrimet e këtij teksti, gjithashtu, çuditërisht, përputhen me interesat dhe përpjekjet zyrtare shumëvjeçare të Beogradit që përpiqet të përçajë shqiptarët dhe të ndërtojë dallime esenciale mes shqiptarëve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republiës së Shqipërisë”, thuhet në reagimin e kreut të PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar reagimin e menjëhershëm të anëtarëve të ASHAK-ut, distancimin nga teksti, heqjen e tij nga botimet zyrtare të këtij institucioni dhe kërkim falje formale për publikimin e një materiali kaq ofendues e të dëmshëm.

Related Articles