Ish-zëvendëskryeministri rus dhe një zyrtar pro-Moskës u plagosën kur forcat ukrainase bombarduan qytetin lindor të Donetsk të mërkurën, thanë agjencitë ruse të lajmeve.
Donetsku, i kontrolluar nga trupat pro-Moskës, është në rajonin industrial të Donbasit, epiqendra e luftimeve të ashpra të kohëve të fundit midis Rusisë dhe Ukrainës, raporton Reuters.
Një nga të plagosurit ishte Dmitry Rogozin, ish-zëvendëskryeministër rus, i cili po u jep këshilla ushtarake dy rajoneve të pushtuara të Ukrainës që Moska i pretendon si të sajat, tha një ndihmës për agjencinë ruse të lajmeve “Tass”. Ai po ashtu tha se jeta e tij nuk ishte në rrezik.
Gjithashtu i lënduar ishte Vitaly Khotsenko, kreu i qeverisë së Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, tha sekretari i tij i shtypit për agjencitë ruse të lajmeve.
Dy burrat u plagosën kur një hotel në periferi të Donetskut u vu nën zjarr nga armët me precizion të lartë, thanë ndihmësit për agjencitë ruse. Një parlamentar rus i cili ishte gjithashtu në hotel tha se sulmuesit kishin vepruar në bazë të një informate.
Rogozin dikur drejtonte agjencinë ruse hapësinore, por u zëvendësua në korrik. Ai kishte mbajtur një qëndrim konfrontues që kur agjencia u godit me sanksione për rolin e saj në industrinë e mbrojtjes.