Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Pagat e Zyrtarëve Publik të miratuar sot në Kuvendin e Kosovës.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se misioni i Qeverisë së Kosovës me këtë ligj është është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre.
“Keqqeverisja, punësimet partiake, skandalet në shëndetësi, dështimet në ekonomi dhe energji, ikja e të rinjve nga vendi, rrezikimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit – në vetëm dy vjet qeverisje – nuk po i mjaftojnë Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij”.
“Tani, përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë, misioni i ri i kësaj Qeverie është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre. E gjithë kjo, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.
“Gjithsesi, përballë këtyre tendencave kundërkushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do ta kundërshtojmë dhe do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese, ku, duke besuar në drejtësi, presim rrëzimin e padiskutueshëm të tij”.