Abazi e kritikon Qeverinë Kurti

Abazi e kritikon Qeverinë Kurti

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka kritikuar Strategjinë për Energjinë 2022-2031.

Gjatë shqyrtimit të kësaj strategjie në Kuvend, deputeti Abazi ka thënë se rivitalizimi i kapaciteteve të thëngjillit sipas strategjisë, tregon se kjo qeveri do të dështojë sikur opozita për 20 vjet në qeverisjen e tyre.

Madje ai tha se kjo strategji nuk parandalon praktikat korruptive dhe burokratike për panele solare.

“Fakti që ne orientohemi në ndërtimin e kapaciteteve të reja që quhen me një gjuhë tjetër rivitalizim të kapaciteteve të thëngjillit, tregon që në fakt jemi duke u futur në një proces, i cili na bien te dështimi i opozitës për 20 vjet. Rrjedhimisht, mendoj që strategjia e ka huq ekuacionin edhe në nivelin e përgjigjes, për shkak se ne nuk kemi problem me furnizim të energjisë elektrike, ne kemi problem me energji termike me ngrohje. Deficiti me të cilin ne përballemi nuk ka të bëjë me energji elektrike, ka të bëjë me ngrohjen kur njerëzit fillojnë të ngrohen me energji elektrike. Fatkeqësisht, strategjia prapë nuk e adreson si çështje në mënyrë specifike”.

“Objektivi i parë gjithashtu do të duhej të kishte cakun kryesor heqjen e barrierave burokratike, mos të themi të korruptuara në sisteme të ndryshme institucionale për të mos lejuar vendosjen e paneleve solare edhe te qytetarët dhe bizneset. Intervistat dhe bisedat në muajt e fundit që i kam bërë edhe me bizneset, edhe me pronarë të shtëpive, është që ata sorollaten korridoreve me mbi gjashtë muaj në komunë, në KEDS për t’iu mundësuar vendosjen e paneleve solare mbi shtëpitë e tyre. Këto praktika korruptuese dhe burokratike, është dashur me qenë pjesë e strategjisë për t’i eliminuar këto”, tha Abazi.

Related Articles