Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se me analizimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë që është votuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, kuptohet se ka tjetër tendencë dhe jo për reformim të administratës publike.
Në një intervistë për emisionin “Desku” në KTV, Ibrahimi ka folur edhe për rekrutimin e pozitave të nivelit lokal, procesi i të cilit aktualisht bëhet në nivel qendror.
Ai ka thënë se krahasuar me ligjin që ka qenë në fuqi deri më tani, dhe i cili ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian, për ligjin që ka kaluar tashmë, ky komision ka shprehur brenga.
“Nëse Ligji aktual ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian dhe nëse bëhet krahasimi me projektligjin që ka kaluar në leximin e parë ku Komisioni ka shprehur shumë brenga dhe në një formë ka lënë për të dëshiruar se çfarë qeveria mendon të arrijë në të ardhmen”.
“Nëse mendoni se të gjithë menaxherët e nivelit të mesëm dhe të ulët duhet të frikësohen sepse pas një viti të hyrjes në fuqi të këtij ligji të gjitha pozitat e tyre do të shpallen dhe askujt nuk i garantohet më marrja e një pozite të tillë”, ka thënë ai.