Qeveria ndan tetë milionë euro për blerje të librave

Qeveria ndan tetë milionë euro për blerje të librave

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi tetë milionë euro për pagesë të obligimeve të blerjes së librave, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Arsimit, bëhet e ditur në një komunikatë për media të enjten në mbrëmje pas mbledhjes së 115-të të Qeverisë.

Sipas njoftimit, në mbledhjen e mbajtur online është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Efiçienca e Energjisë në ndërtesa publike në Prizren” ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Korniza e qyteteve të gjelbërta 2 dritarja 2 – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë” ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Miratim ka marrë edhe vendimi për ndarje të mjeteve për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësueseve të Luginës së Preshevës, “në funksion të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, të datës 28 tetor 2022, mbi përkrahjen financiare në qëllim të ruajtjes e kultivimit të gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës”.

Janë miratuar edhe kërkesat e Ministrisë së Financave për kursime, ndarje dhe harmonizime në paga dhe shtesa; së Zyrës së Kryeministrit për ndarje buxhetore për mbështetje të eksportit të pakos së ringjalljes ekonomike dhe të MF-së për zbatim të disa masave në kuadër të Pakos së Ringjalljes.

Related Articles