Policia e Kosovës (PK) njofton se në dy raste të ndryshme, janë arrestuar dy persona në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nën dyshimin se kanë falsifikuar dokumentet.
Përmes raportit 24 orësh të policisë, thuhet se rastet kanë ndodhur të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në rastin e parë, thuhet se bëhet fjalë për një shtetas të Ganës, i cili ka prezantuar ID belge, që dyshohet të jetë e falsifikuar.
Policia njofton se lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori dhe me vendim të tij, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse, në rastin e dytë policia njofton se bëhet fjalë për një grua që ka prezantuar pasaportë kroate, që dyshohet të jetë e falsifikuar.
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me vendim të tij dokumenti është konfiskuar ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.