Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Martin Kosatka, ka deklaruar në Pragë se nuk ka pasur debat të vërtetë për hapjen e klasterit negociator me Serbinë gjatë kryesimit të Çekisë të Bashkimit Evropian (BE), sepse atmosfera nuk ishte e përshtatshme për këtë.
Kosatka ka deklaruar për European Western Balkans (EWB) se ai sheh tre pengesa kryesore në rastin e Serbisë – mungesën e progresit në fushën e sundimit të ligjit, dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe shkallën shumë të ulët të përafrimit të politikës së jashtme serbe me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
“Ky problem ishte thuajse dytësor me dy të parët disa kohë më parë. Por me agresionin rus, është bërë çështje parimore dhe tani Bashkimi Evropian do të insistojë realisht në harmonizimin me PPJS-në”, ka thënë Kosatka, transmeton Paparaci.
I pyetur nëse çështja e politikës së jashtme dhe të sigurisë do të jetë më e rëndësishme se reformat e sundimit të ligjit në procesin e anëtarësimit, ai theksoi se ajo do të jetë një nga çështjet kryesore.
“Fakti është se problemi i harmonizimit me PPJS-së është rritur në mënyrë dramatike muajt e fundit, por pa zhvillime pozitive në terren, sundimi i ligjit do të mbetet patjetër një pengesë e madhe në rrugën evropiane të Serbisë”, ka thënë diplomati çek.
Duke folur për zgjerimin e BE-së, Kosatka ka theksuar se në Bashkimin Evropian ekziston një ndjenjë e përbashkët se vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet një shans, por se ata duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë.
“Është e qartë se atmosfera ka ndryshuar pas agresionit rus. BE-ja dëshiron të tregojë se me të vërtetë kujdeset për rajonin. Nuk bëhet fjalë për punë të palodhshme dhe rezultate të mira të një kryesuesi, por për vullnetin e përgjithshëm të BE-së. Ky vullnet është i pranishëm”, ka thënë Kosatka.
Edhe pse ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka theksuar se gjatë kryesimit të saj Çeke nuk do të merret me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, Kosatka pohon se pritet që çdo kryesues të bëjë atë që është e nevojshme.
“Duke pasur parasysh datën që Kosova ka vendosur të dorëzojë aplikacionin (15 dhjetor), nuk kemi pasur kohë të bëjmë më shumë se sa të informojmë ambasadorët e COREPER-it të vendeve anëtare të BE-së se Kosova ka dorëzuar aplikacionin. Gjatë kryesimit të ardhshëm suedez do të fillojnë konsultimet me shtetet anëtare”, tha Kosatka.