Ministri serb i mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka zbuluar se mbrëmë ai dhe gjenerali Mojsilloviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe kanë marrë një urdhër nga lideri i tyre suprem, Vuçiq.
Sipas fjalëve të tij, kanë marrë urdhër nga presidenti si komandant i përgjithshëm i ushtrisë serbe që të deri në fund të vitit 2023 të rritet numri nga 1.500 në 5.000 i pjesëtarëve të njësiteve famëkeqe speciale të ushtrisë serbe, të cilët mbahen mend për krimet dhe masakrat në luftërat në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë, gjegjësisht të atyre që do të trajnohen në mënyrë të veçantë si pjesë e ushtrisë serbe.
“Që ushtria serbe të ketë 5.000 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë specialistë me trajnime dhe përgatitje të lartë, të cilët do të kenë të kryer trajnimet më moderne, trajnime teorike dhe praktike, të cilët do të kenë armë dhe pajisje ushtarake më moderne dhe të cilët janë të gatshëm të mbrojnë atdheun, të kryejnë çdo detyrë në çdo moment dhe në çdo pjesë të territorit tonë”.
Siç pretendon ai, “ata 5.000 ushtarë do të jenë të gatshëm për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave me të cilat përballet atdheu ynë”.
“Ata 5.000 ushtarë të trajnuar në mënyrë të veçantë të ushtrisë serbe do të jenë grushti më i fortë që do të shkatërrojë dëshirat dhe qëllimet e këqija të atyre që nuk e duan vendin tonë dhe që duan të dëmtojnë popullin dhe qytetarët tanë. Si ushtria serbe, ashtu edhe ministria e mbrojtjes do të përmbushë urdhrat që kemi marrë nga presidenti ynë dhe në fund të vitit 2023 do të kemi pjesëtarë shumë herë më të paguar të atyre njësive speciale, edhe më të pajisur, edhe më të trajnuar, që të jenë gjithmonë sa më të përgatitur për detyrën e mbrojtjes së atdheut serb”, ka pretenduar ministri serb i mbrojtjes, duke bërë me dije se Vuçiqi seriozisht po e përgatitë Serbinë për edhe një luftë.