“Flluska” e kriptomonedhave duket se po plas. Kështu shprehet e famshmja “Bloomberg Business”, duke iu referuar analizave të tregut, kur të mërkurën Bitcoin ra me 31% duke fshirë më shumë se 500 bilion dollar nga tregu.
Ethereum, monedha e dytë më e madhe, u fundos me më shumë se 42%, ndërsa monedha që lindi si parodi Dogecoin humbi rreth 45%.
Kriptomonedhat u ngritën sërish gjatë të enjtes, por pa mundur të arrijnë nivelet e tyre kulminante, duke shkaktuar humbje te investitorët. Binance dhe Coinabse, dy platformat më të njohura për transaksionet, patën probleme teknike pas fluksit të madh për shitje.
E gjitha kjo ndodhi për shkak të rënies së çmimit të Bitcoin poshtë mesatares së saj, ku miliona njerëz nxituan për të shitur kriptomonedhat e tyre, e cila vinte nga dy shkaqe kryesore. Fillimisht një ‘tweet’ i Elon Musk se Bitcoin nuk do pranohej më si formë pagese për shkak të dëmit që i bën natyrës dhe së fundmi një vendim i Bankës Qendrore të Kinës, për institucionet financiare që të mos pranonin kriptomonedhat si formë pagese.
Kjo trembi të gjithë investitorët, të cilët druhen se pas Kinës edhe shtet të tjera do të fillojnë të bëjnë presion për rregullimin e tregut të lënë të lirë deri më tani.
Amerika ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar në lidhje me këtë, duke i lënë të lira tregjet, ndërsa institucione të mëdha si JPMorgan ofrojnë edhe produkte investimi për këto asete për klientët e tyre të pasur.
Banka Qendrore Europiane nga krahu tjetër e ka cilësuar Bitcoin si aset “me gjurmë të mëdha karboni dhe përdorim të mundshëm për qëllime ilegale”, ndërsa paqëndrueshmërinë e çmimit si diçka shumë të rrezikshme për të investuar.