Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja duke folur për barrikadat në veri të Kosovës tha se serbët që kanë vendosur ato barrikada në rrugë “janë të armatosur deri në dhëmbë”.
Madje, ai vlerësoi se do ishte në favor të Kosovës në qoftë se barrikadat në veri do i largonte KFOR-i.
Më tej, ai sqaroi hierarkinë e institucioneve që do të duhej të vepronin në rast nevoje.
“Struktura e sigurisë në veri, është policia lokale, policia rajonale, FSK-ja dhe normalisht KFOR-i. Por, FSK-në e kemi përjashtuar vetë nga ajo pjesë. Serbët në veri janë të armatosur deri në dhëmbë. E këtë duhet ta ketë parasysh shumë populli i Kosovës. Policia e Kosovës i ka ata mekanizma edhe forcën proporcionale për t’i hequr barrikadat. Mirëpo, çështja është strategjikisht, pra do jetë më mirë nëse KFOR-i i largon barrikadat për të mos u dhënë mundësi grupeve ekstremiste të ekstremit të djathtë, që ato t’i keqpërdorin pastaj”, deklaroi Muja në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Tutje, Muja tha se Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta shikojë pozicionin e Serbisë, pasi sipas tij, nuk mund të vazhdohet përpara me logjikën e partneritetit të presidentit, Aleksandar Vuçiq.
“Barrikadat që pengojnë lirinë e lëvizjes, duhet të hiqen, sepse ato mirëmbahen nga Beogradi zyrtar”, tha tutje Muja