Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, ka thënë se barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës janë të paligjshme dhe duhet të largohen.
Berlini kritikoi “retorikën nacionaliste” mes tensioneve në rritje në Ballkan.
Qeveria gjermane të mërkurën alarmoi për përshkallëzimin e fundit të tensioneve midis Prishtinës dhe Beogradit, duke thënë se po bëhen përpjekje për t’i detyruar serbët në veri që t’i çmontojnë barrikadat që kanë ndërtuar pranë kufirit me Kosovën.
Gjatë tre javëve të fundit, serbët kanë ngritur më shumë se 10 barrikada në veri të Kosovës, si përgjigje ndaj arrestimit të një ish-polici serb të akuzuar për sulm ndaj policëve në shërbim.
Përveç kësaj, serbët në Serbi të martën ngritën një tjetër bllokadë rrugore afër pikëkalimit Merdar në mbështetje të serbëve të Kosovës.
“Barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës duhet të çmontohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane.
Ndërkaq, Rusia, një aleat i madh serb, ka mohuar ndërkohë akuzat kosovare se po nxit tensione në rajon, ndërsa ka konfirmuar mbështetjen e saj për Beogradin.
“Serbia është një vend sovran dhe është absolutisht e gabuar të kërkosh ndikimin shkatërrues të Rusisë këtu,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.raporton DW