Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë se vendimi i Prokurorisë Speciale për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj ish-policit serb të arrestuar nga Policia e Kosovës, Dejan Pantiq, është i ndikuar politikisht.
Perteshi ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, se kjo nuk do të duhej të ndodhte, pasi siç ka thënë, mosndëshkimi i kriminelëve në veri ka sjellë gjendjen atje ashtu si është tani.
“Vendimi për ndryshim të masës së sigurisë ndaj Pantiqit, është direkt vendim i ndikuar politikisht dhe besoj që një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhë sepse për shkak të mosndëshkimit të kriminelëve në veri e kemi gjendjen siç është sot. Kështu që duhet të ketë kujdes edhe gjykata dhe prokuroria se çfarë vendimi duhet të marrin”, ka thënë Perteshi.
Ai ka shtuar se për të mos u përsëritur çështja e barrikadave, e cila siç është shprehur, po përdoret nga presidenti serbe, Aleksandër Vuçiq, bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion më të madh te Beogradi zyrtar.
“Barrikadat nuk duhet të lejohen pafund të vendosen atje. Duhet një koordinim mes spektrit politik bashkë me partnerët ndërkombëtar dhe të gjendet një zgjidhje. Burimi i problemit është Biogradi zyrtar nëpërmjet satelitëve që i ka në Kosovë. Duhet të ketë një reagim konkret edhe direkt tek burimi i problemit, të bëhet presion tek Beogradi zyrtar sepse njëjtë ka ndodhur edhe me Rusinë dhe Ukrainën. Beogradit duhet t’i tregohen vijat e kuqe se deri ku mund të shkohet”, është shprehur ai.
Ndërkaq, gazetarja e KOHËS, Valbona Bytyqi e cila këto ditë ka raportuar nga pjesët ku janë vendosur barrikadat, ka thënë në “60 Minuta” se nuk pritej në fillim që ato do të mbeteshin për kaq gjatë atje.
Bytyqi ka thënë se barrikadat ua kanë vështirësuar jetën qytetarëve serbë që ndodhen në ato zona.
“Pritjet kanë qenë që barrikadat do të largohen ndoshta brenda pak ditësh. Serbët lokalë të fshatit Rudar i shfrytëzojnë disa rrugë alternative. Jeta u është bërë më e vështirë serbëve lokalë në afërsi të vendbanimeve ku janë barrikadat. Ka lëvizje të vazhdueshme nga serbët lokalë, ka edhe serbë që vijnë me vetura deri në afërsi të barrikadave ndërkaq më pas u bashkohen barrikaduesve. Ata kanë vendosur tenda në të cilat qëndrojnë. Përveç serbëve lokalë është e vështirë dhe e rrezikshme kalimi i gazetarëve”, është shprehur ajo.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ndryshuar masën ndaj ish-policit, Dejan Pantiq, për shkak të problemeve shëndetësore që ai ka pasur.
Sipas njoftimit për media nga Specialja, edhe pse kundër të pandehurit ka ekzistuar vendim për caktim të paraburgimit, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, i njëjti asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim ashtu siç kërkohet me ligj.
“Pas vizitave të ekipeve mjekësore të EULEX-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua”, thuhet në njoftim.