Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kërkon nga kryeministri Albin Kurti të sqarojë nëse ka një marrëveshje të fshehtë politike për lehtësimin e masës së sigurisë për ish policin nga komuniteti serb, Dejan Pantiq.
Krasniqi për KosovaPress thotë se kalimi nga paraburgimi në arrest shtëpiak për Pantiq, duhet të shihet a ka efekte në gjendjen në teren në veri, apo është vetëm zbatim i kërkesave të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
“Lirimi me arrest shtëpiak i të arrestuarit Pantiq është një zhvillim që është vështirë të komentohet pasi është veprim gjyqësor. Por një gjë duhet të kemi te qartë se nëse ka qenë një marrëveshje politike e fshehtë kjo nuk mund të bëhej pa e ditur kryeministri i Kosovës. Nëse kryeministri ka miratuar apo ndikuar çfarëdo forme të tillë të jetë transparentë me qytetarët dhe të thotë arsyen pse janë pajtuar”.
“Unë nuk e di se në çfarë forme ka ardhur ky vendim, por nëse është i akuzuar për terrorizëm ka pyetje që duhet të bëhen për mënyrën e lirimit. Pa dashur me vlerësu si të drejtë apo jo, duhet të kemi një qartësi a ka efekte në situatën e sigurisë ky lirim dhe cilat janë ato. Mbi të gjitha a ka pasur përfshirje politike për këtë punë”, thotë ai.
Përkitazi me këtë shefi i PDK-së, thekson nevojën e domosdoshme për largimin e barrikadave në veri dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes.
“Mënyra më e mirë për heqjen e barrikadave do të ishte që ato të hiqen nga ata që vet i kanë vendosur, por nëse kjo nuk ndodh atëherë është përgjegjësi dhe obligim e qeverisë që ti ndërmarrë obligimet kushtetuese dhe ligjore për të kthyer ligjshmërinë në atë vend dhe për të për të mundësuar lirinë e lëvizjes. Nuk është hera e parë që ka pasur barrikada në veri, ka pasur edhe në vitin 2011, ka pasur edhe në vitin 2018, por përkundër tendencës për të pasur një largim nga ata që i kanë vendosur, në atë kohë është dashur me vepru si qeveri dhe me heq barrikadat”.
Ndryshe edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot janë shprehur të shqetësuar për situatën e vazhdueshme të tensionuar në veri të Kosovës. BE dhe SHBA u kanë bërë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo kanosjet.