Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova asnjëherë nuk i ka dhënë arsye Serbisë që të sillet në mënyrë të dhunshme e të krijojë kriza.
Ajo në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova theksoi se kjo lloj logjike e inkurajon Serbinë për më shumë dhunë.
“Logjika sipas së cilës Kosova i ka krijuar Serbisë arsyetime për t’u sjellë dhunshëm është logjikë që e inkurajon Serbinë që të krijojë më shumë dhunë edhe në të ardhmen. Kosova nuk i ka dhënë arsyetim Serbisë për përdorim të dhunës asnjëherë në historinë e saj”- është shprehur Osmani.
Osmani më tej shtoi se Kosova do jetë e rrezikuar derisa Serbia udhëhiqet nga persona me mendësi të viteve ’90.
“Kosova është dhe do jetë e rrezikuar derisa Serbia vazhdon të udhëhiqet nga persona që kanë mentalitet të viteve 90-ta, është vazhdimësi e mentalitetit të Millosheviqit”- shtoi ajo.
Sipas Osmanit, Serbia ka pretendime territoriale në raport me Kosovën.
Presidentja shtoi se Aleksandër Vuçiq po sillet në këtë mënyrë pasi po i pengon plani franko-gjerman.
“Gjatë kësaj dekade që Vuçiq është në pushtet dhe pjesë e dialogut, strategjitë i ka të njëjta. Sa herë ka mundësi që të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve, krijon situata të dhunshme e kriza. Kur e pa që ekziston një vullnet i komunitetit ndërkombëtar që të shtyhet përpara plani franko-gjerman, shkoi me statregjinë për kriza që të shtyhen këto përpjekje”- shtoi ajo.
Presidentja potencoi se nëse arsyetimi paskan qenë targat përse Serbia vazhdoi me më shumë dhunë kur ai problem u eliminua.