E mbetur e vetme, 70-vjeçarja Nafije Guta thotë se është në hall më nipin e saj, pasi sipas saj ai ia bëri një mal me padrejtësi.
Ajo mbeti e vetme në shtëpinë e cila iu dha si bamirësi nga një shoqatë humanitare në fshatin Dobrusht të Prizrenit, pasi bashkëshorti i saj vdiq vite më parë.
Problemet nisen kur djali motrës së saj, Selman Gutaj, i cili është njëkohësisht edhe djali i kunatit të saj, i bëri padi në Gjykatën Themelore të Prizrenit, pasi kjo shiti lopën e saj.
Por Nafija tha se e shiti atë pasi ajo ishte pronë e saj, e të cilën e fitoi pasi ndau pasurinë me kunatin, që është babai i Semanit, për çka e moshuara thotë se e ka dëshmitar edhe çobanin.
70-vjeçarja këtë lopë e shiti tek një mishtore në Prizren, e menjëherë pasi bëri marrëveshjen në 2017 nipi e akuzoi atë që e shiti lopën duke e shfrytëzuar rastin sa ky i fundit ishte në një dasmë.
Por e bija e Nafijes, Baftije Dakaj mendon se konflikti mes nipit e tezës ka një prapavijë tjetër nga ajo e lopës.
I kontaktuar nga Kiksi, Selmani ka refuzuar të flasë para kamerave, por ka insistuar në atë që lopa që u shit nga tezja Nafije ishte e tij.
Historia ngatërrohet edhe më shumë për faktin se Selmani dhe Nafija jetojnë në të njëjtin kulm, dhe që të dytë insistojnë në të njëjtën hise.
E ky fakt e shtyn Nafijen ta akuzojë nipin saj edhe për vjedhje të rrymës, pasi të dytë shfrytëzojnë të njëjtën orë elektrike.
E bija e saj thotë se bashkë me motrat e saj u detyruan t’i paguajnë borxhin e rrymës së pashpenzuar nga e ëma, për çka pretendon se ka dëshmi.
Por nipi i Nafijes, Selmani thotë se nuk shpenzoi asnjë kilovat rrymë. Ai pretendon se nuk jeton në këtë shtëpi.
Pas këtij konflikti, Nafija ka ndarë orën e rrymës, dhe sipas avokatit të saj pas ndarjes së njësive matëse të rrymës, asaj i vjen shumëfish më pak fatura mujore.
E përveç këtyre problemeve, 70-vjeçarja Nafije Gutaj disa herë është sulmuar nga bashkëshortja e nipit të saj, për çka ka qenë e njoftuar edhe Policia e Kosovës, deri sa Gjykata kishte shqiptuar edhe një urdhër mbrojtjeje.
Pikërisht ky urdhër dëshmon se Selmani jetonte në shtëpinë e përbashkët me Nafijen dhe kishte shfrytëzuar edhe energjinë elektrike.
Selmani pavarësisht të gjithave ka pranuar se tash është kthyer në shtëpinë e përbashkët me tezen pasi ajo është e ndërtuar në tokën e tij.