Gjykata Themelore në Prizren, të enjten, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarës N.A, e cila po dyshohet se vrau kunatës e saj S.D (67-vjeçare).
Gjykatësit Xheladin Osmani tha se masa e paraburgimit ndaj të njëjtës caktohet në afatin kohor prej 30 ditësh, dhe atë prej 27 dhjetorit 2022 deri më 27 janar 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën dëgjimore, prokurori Metush Biraj pas leximit të dispozitivit të aktvendimit për fillim të hetimit dhe kërkesës për caktim të masës së paraburgimit të dyshuarën N.A, tha se e njëjta ka përdorur dhunë fizike ku si pasojë viktima ka vdekur.
“E pandehura NA, në fsh.Kuk-Komuna e Dragashit, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi me datë 26.12.2022, rreth orës 05:30 minuta vdes viktima S.D”, ka thënë prokurori Biraj.
Ky i fundit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, me arsyetimin se e njëjta mund të ndikoj në zhvillimin e hetimeve si dhe tek dëshmitarët për zhvillimin e mëtutjeshëm të rastit.
Ndonëse mbrojtësi i të dyshuarës, avokati Besim Morina i caktuar sipas detyrës zyrtare, ka thënë se e kundërshton kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, duke thënë se e dyshuara, edhe më parë edhe tani, nuk është në gjendje stabile emocionale dhe me shëndet, as më parë e as tani.
Po ashtu, ai tha se e njëjta para organeve policore e ka pranuar fajin dhe vërtet ndjehet thellë e penduar ngase nuk ka vepruar për t’i shkaktuar ndonjë dëm më rëndë, për t’i shkaktuar vdekjen e të ndjerës. Krahas kësaj, e pandehura N.A gjatë seancës së paraburgimit e pranoi se e ka rrahur për vdekje viktimën.
“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdesë”, tha e dyshuara.
E dyshuara N.A është arrestuar të martën dhe në prani të mbrojtësit të saj e ka pranuar se ka kryer vrasjen e tani të ndjerës S.D.
Ndryshe, S.D u gjet pa shenja jete të hënën në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë.
Prokuroria Themelore në Prizren ka treguar detaje për vrasjen e 67-vjeçares në Kuk të Dragashit.
RTV Dukagjini ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë me ç’rast, në të thuhet se tashmë e ndjera, Saime Domazeti ishte goditur me një dru të ahut dhe jo vetëm, në të gjitha pjesët e trupit. Goditje të tilla i kishin shkaktuar gjakderdhje në tru viktimës duke shkaktuar njëherit, edhe vdekjen e saj.
“Për shkak të dyshimit të bazuar, se me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes motrën e bashkëshortit me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me dt.23.12.2022, rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të pandehurës Nazire Abdyli, në fshatin Kuk-Komuna e Dragashit, me një dru të ahut në gjatrësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë me gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa here viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi me datën 26.312.2022 rreth orës 05:30 minuta, vdes viktima, Saime Domazeti”, thuhet në dokument.
67-vjeçarja, e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragashit në mëngjesin e së hënës, dyshohet se ka qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.
Këtë për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.
“Më datë 21.12.2022, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër gruas së vëllait të viktimës dhe djalit të gruas së vëllait, për veprën penale “Dhuna në familje”, përkatësisht për dhunë psikologjike ndaj viktimës, sepse viktima ka jetuar në shtëpinë e vëllait të saj”, thuhet në përgjigje.