Gjatë këtij viti Vetëvendosjes i dolën në shesh një mal me punësime partiake.
Punësimet nepotike po vazhdojnë edhe tani. Është ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila po akuzohet se ka emëruar në Këshill Drejtues të UPZ-së, shoqen e klasës së deputetit, Arbër Rexhaj dhe bashkëshorten e shokut të ngushtë të të njëjtit deputet dhe deputetit, Artan Abrashi.
Këto akuza ndaj ministres dhe dy deputetëve të VV-së i ka hedhur Leutrim Flugaj.
Ai thotë se në konkursin për administratë në Universitetin e Prizrenit “I “zgjodhën”, ose i emëruan pesë persona, pesë klientë, disa familjarë”.
Postimi i tij i plotë:
Në qershorin e vitit 2021, ministrja Nagavci në Këshill Drejtues të UPZ-së, i emëroi, shoqen e klasës së deputetit, Arbër Rexhaj dhe bashkëshorten e shokut të ngushtë të të njëjtit deputet dhe deputetit, Artan Abrashi. Atë kohë pata reaguar publikisht dhe e pata sinjalizuar privatisht ministren, se kjo është kapje, degradim dhe jashtë konceptit që ne si Lëvizje e besojmë. Ministrja nuk e vuri dorën në zjarr për degradimim që po ndodhte, a thua se po ndodhte diku shumë larg saj e ministrisë që ajo e drejtonte. Në vend se t’u lejonte autonomi universiteteve, ajo u dha autonomi në universitet kapësve, deputetëve, shokëve të klasës.
Deputetët, shokët e klasës, Arbër Rexhaj dhe Artan Abrashi, të trimëruar nga ministrja, e emëruan sekretarin e universitetit. Sekretari ligjërisht zgjedhet me konkurs. Po ashtu, rektorin aktual e patën emëruar, me votën e shoqes së klasës. Kaluan 19 muaj nga ajo kohë. I shkatërruan për 20 vjet universitetet, shkollat. Nuk mjaftoi. 20 vjet plus 19 muaj. A thua është i mallkuar ky vend?!
Rreth një muaj më parë, u shpall konkurs në administratën e Universitetit të Prizrenit. Ligjërisht, kandidatët duhet t’i pëmbushnin kriteret e konkursit, por kur shokët e klasës janë aty afër, rreth e rrotull konkursit, kriteret i lihen imagjinatës. Praktikisht, kriter bëhet shërbimi dhe servilizmi ndaj deputetëve. Dy shokët e klasës, dy deputetët Rexhaj@Abrashi, përsëri interferuan dhe nuk lejuan konkurrencë. I “zgjodhën”, ose i emëruan pesë persona, pesë klientë, disa familjarë. Por, nuk ka asgjë falas te këta. Të punësojnë pa meritë, të emërojnë pa meritë, por haraçin e paguan gjatë fushatës zgjedhore dhe duhet të jesh i fortë fizikisht për t’i bartur çantat me kartelat e tyre për garën zgjedhore. Ama, as ballin lart, as kurrizin drejt. Sepse balli lart, ka dinjitet. Sepse, kurrizi drejt, s’i mban 100 mijë kartela private të shokëve të klasës, deputetëve që janë të infektuar me sëmundjen e deputetit.
Ku qëndron hipokrizia? Deputetët Rexhaj@ Abrashi, shokët e klasës, në mëngjes vizitojnë varreza dëshmorësh, në mesditë e degradojnë universitstin a çfarëdo në publike që u del përpara dhe në mbrëmje i shkruajnë disa rreshta kinse për patriotizëm. Nuk je patriot nëse e degradon institicionin që duhet të prodhojë vetëdije kombëtare. Përkundrazi, duhet të kesh urrejtje ndaj shtetit tënd për ta trajtuar si plaçkë lufte, për t’ia thithur gjakun si shushunja. Do t’u kisha thënë turp, por e di që s’kanë.