Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli ka thënë se po të mos hiqeshin barrikadat nga ata që i vunë, Qeveria do të merrte një vendim.
Dugolli në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, tha se kanë qenë në bashkëpunim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in që të gjendet një zgjidhje.
“Ne kemi qenë të kujdesshëm dhe në bashkëpunim të plotë edhe me KFOR-in dhe EULEX-in që të gjendet një zgjidhje dhe të mos vijë te një moment ku do të duhej që Qeveria të merr një vendim për të zbatuar Policia e Kosovës pa çka se e dinim që ai vendim do të haste në rezistencë… Nëse nuk do të largoheshin barrikadat siç u larguan nga ata vet që i vunë, të jeni të bindur që do të vinte momenti që Qeveria e Kosovës do ta merrte atë vendim”, ka deklaruar ai.
Dugolli tha se situata me barrikada nuk mund të vazhdonte në pafundësi, madje sipas tij, nuk ishte shumë larg çështja e marrjes së vendimit për largimin e tyre nga institucionet shtetërore të Kosovës.
Kujtojmë se barrikadat në veri të Kosovës qëndruar për rreth 20 ditë, ndërsa të premten u larguan përfundimisht nga vet ata që i kishin vendosur. Largimi i tyre erdhi pas ndryshimit të masës së sigurisë ndaj ish-policit serb në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Ky vendim është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë me arsyetimin se gjendja shëndetësore e tij nuk ishte e mirë.
Pantiq është arrestuar më 10 dhjetor si i dyshuar për kryerjen e veprës terroriste “sulm ndaj personave zyrtarë”.