Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përshëndetur dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke i quajtur lajme të mira për fundvit.
Vendimet kanë të bëjnë me Arsimin parauniversitar dhe stazhit pensional, para 1.1.1999.
Postimi i plotë:
Dy lajme të mira në këtë fundvit nga Gjykata Kushtetuese!
Gjykata Kushtetuese, ka dhënë Vlerësimin për kushtetutshmërinë e neneve të caktuara të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), nr. 104/2020, për “Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.
Gjykata ka konfirmuar edhe një herë se Komunat janë përgjegjëse me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi për organizimin e mësimit parauniversitar.
Po ashtu, përmes njoftimit, Gjykata Kushtetuese i jep fund praktikës diskriminuese të Kategorizimit të Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues, sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional. Pra, hiqet kushti për stazh pensional kontributdhënës së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet para datës 01.01.1999.
Ky kusht diskriminues dhe i pamundur të dëshmohet, por edhe anti-kombëtar, është konfirmuar si kundër kushtetues. Dy lajme të mira për fundvit!