Von der Leyen: Kroacia në Shengen dhe Eurozonë, dy hapa të mëdhenj në një ditë

Von der Leyen: Kroacia në Shengen dhe Eurozonë, dy hapa të mëdhenj në një ditë

“Kroacia, një nga anëtaret më të reja të BE-së sot ka hyrë në Shengen dhe në Eurozonë. Dy hapa të mëdhenj në një ditë”, tha presidentja e KE-së, Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen zhvilloi takime në Kroaci e cila nga sot iu bashkua Eurozonës dhe Shengenit.

Von der Leyen vizitoi zonën Bregana të Kroacisë në kufi me Slloveninë duke u shoqëruar nga presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq.

Von der Leyen vuri në dukje se sot është një ditë historike. “Sot është një ditë për të festuar. Kroacia, një nga anëtaret më të reja të BE-së sot ka hyrë në Shengen dhe në Eurozonë. Dy hapa të mëdhenj në një ditë”, tha ajo.

“Kroatët nuk do ta harrojnë ditën e sotme ku ata do të kryejnë pagesat me euro. Euro do t’iu bëjë juve më të fuqishëm në aspektin tregtar dhe në aspektin e investimit”, deklaroi presidentja e KE-së, e cila shtoi se qytetarët mund të udhëtojnë më lirshëm.

Plenkoviq tha se Kroacia sot ka arritur objektivat e saj strategjik, kombëtar dhe politik. “Jemi një vend që kemi hedhur dy hapa në një ditë. Që nga sot asnjë gjë nuk do të jetë si më parë. Automjetet kalojnë pa pasur ndonjë kontroll. Nuk ka pritje dhe radhë”, tha ai.

Ai shtoi se Kroacia është bërë kufiri i Bashkimit Evropian. “Përvojat tona do t’i përdorim për forcimin e mëtejshëm të Shengenit”, tha kryeministri kroat.

Presidentja sllovene Pirc Musar duke uruar Kroacinë tha: “Evropa është shtëpia jonë dhe e tillë do të mbetet. Përgjegjësia jonë është ta mbrojmë atë”.

Von der Leyen me kryeministrin Plenkoviq do të pijë kafe në kryeqytetin Zagreb dhe do të bëjë pagesën e saj me euro.

Kroacia mbrëmë në mesnatë u bë anëtarja e 27-të e zonës Shengen dhe në të njëjtën kohë ndryshoi monedhën e saj zyrtare nga kuna në euro. /AA

Related Articles