Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe një familje në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik.
Sinjali mëson se mbrëmë pak para mesnatës pronari i shtëpisë kishte vërejtur se gjatë kohës që nuk ndodhej aty, persona të panjohur kanë hyrë me forcë nga dritarja dhe kanë depërtuar brenda hapësirave të brendshme të shtëpisë.
Pasi ka kontrolluar vendet ku kishte lënë gjërat e tij me vlerë, ai ka vërejtur se hajnat kanë marrë nga kasaforta e tij armën e zjarrit e po ashtu edhe një pushkë gjuetie të cilat i kishte me leje nga organet kompetente. Pos tyre, hajnat dyshohet se kanë marrë edhe rreth 40 mijë euro para të gatshme dhe stoli ari në vlerë të rreth 3 mijë eurove.
Njësitë policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të arrihet arrestimi i të dyshuarve.