Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë një ankesë të Liridon Uruqit, të dënuar me 18 vite e gjashtë muaj burgim për vrasje.
Mbrojtja e Liridon Uruqit pretendonte se vrasja e 22-vjeçarit, F.A., nuk ishte kryer me dashje por nga pakujdesia.
Megjithatë, pasi Gjykata Supreme kishte konstatuar vitin e kaluar se vrasja ishte kryer me dashje, edhe Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë ankesën e mbrojtjes së Liridon Uruqit për shkak të kalimit të afatit ligjor.
Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar jashtë afatit ligjor ankesën e dorëzuar nga mbrojtja e Uruqit. Ankesa është parashtruar më shumë se një vit pas aktvendimit të Gjykatës Supreme, të cilin e kontestonte mbrojtja e të dënuarit.
“Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës e kontestonte Aktgjykimin [Pml. nr. 157/2020] e 3 shtatorit 2020 të Gjykatës Supreme. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar më 23 tetor 2020”, thuhet në vendim.
“Parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 6 gusht 2022, për më shumë se 1 vit e gjysmë pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim”, thuhet në atkvendimin e Kushtetueses.
Sipas aktakuzës, më 28 korrik 2018, në fshatin Bresalc-Komuna e Gjilanit, Liridon Uruqi, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Fatlind Arifi.
Këtë, sipas aktakuzës, e kishte bërë në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të të ndjerit, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë teksa po e dërgonin për në spital.
Me këto veprime, ai akuzohej fillimisht se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, por pastaj prokuroria e kishte rikualifikuar veprën penale në vrasje.